Foto/Orkestra Simfonike e RTSH, koncert në 100-vjetorin e kompozitorit Bernstein

TIRANË, 5 korrik/ATSH/-Një mbrëmje plot emocione solli për të gjithë të ftuarit, koncerti i Orkestrës Simfonike i zhvilluar sot në hollin veror “Gjon Simoni” i Radio-Televizionit Shqiptar, në nder të 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit amerikan Leonard Bernstein.

Në programin e kësaj mbrëmjeje u luajtën dy vepra nga Bernstein ndër të cilat njëra premierë “Symphonic dances” nga West Side Story.

Orkestra Simfonike u dirigjua nga Oleg Arapi me pjesën “Candide”-Unverturë” dhe nën tingujt e koncertit nr.2 në La Maxhor të Franz Liszt të luajtur nga pianisti i ri polak, Rafal Mokrzycki.

Oleg Arapi ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj, me vepra të kompozitorëve më të mëdhenj. Ai ka dirigjuar në skena të rëndësishme në formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli, Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelën Perandorake në Shën-Peterburg. Po kështu, Arapi mban çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Si dirigjent i ftuar, ka dirigjuar koncerte me Orkestrën Filarmonike: në Poloni 4 koncerte, në Moskë 2 koncerte, në Ukrainë, në Ecuador 2 koncerte me Orkestrën Nacionale në Kryeqytetin Quito në Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh. Repertori i dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në 29 Prill 2014 vuri në skenë premierën botërore të operës “ La cartomante” të kompozitorit Italian Salvatore Valente. Në Prill 2013, dekorohet nga Akademia Internacionale “Imperiali” e Italisë, me medaljen “Ylli i Artë”. Në Qershor 2013, dekorohet me medaljen “Pushkin” të Federatës Ruse. Në dhjetor 2017 dekorohet me medaljen “ Glorias Artis ” nga Ministri Kulturës njëkohësisht zv. kryeministri Polak. Jep mësim në Universitetin e Arteve Tiranë, në Fakultetin e Muzikës, si pedagog i jashtëm.

Pianisti nga Polonia Rafal Mokrzycki ka marrë pjesë në masterclase të shumta të udhëhequra nga pianistë të njohur si Pavel Gililov, Boris Berman, Eugen Indjiç, Edward Auer, David Dolan, Gottlieb Wallisch dhe Christine Schornsheim. Ka luajtur si solist në shumë salla koncertesh të ndryshme si në Varshavë, në Forumin Kombëtar të Muzikës në Wroclaw Poloni, Filarmoninë e Polonisë dhe Filarmonisë e Ukrainës. I vlerësuar me shumë çmime të ndryshme ndërkombëtare. z.tosku/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.