Ndërhyrjet e BSH-së në tregun valutor stabilizuan aktivitetin e këmbimit

TIRANË, 4 korrik /ATSH/- Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, e miratuar në datën 6 qershor dhe e vënë në zbatim në ditët vijuese, ka prodhuar tashmë efekte pozitive, duke frenuar trendin e fortë mbiçmues të kursit të këmbimit dhe duke mundësuar një aktivitet më të qetë dhe më normal këmbimi në këtë treg.

Guvernatori i BSH-së Gent Sejko, tha sot se, tregjet financiare janë karakterizuar nga një zhbalancim relativisht i fortë i raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë, të cilat kanë sjellë dhe mbiçmimin e shpejtë të kursit të këmbimit. “Në opinionin tonë, ky zhbalancim është prodhuar nga faktorë të përkohshëm të tregut valutor. Megjithatë, mbiçmimi i kursit i rezultuar prej tyre u vlerësua i dëmshëm për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe kërkoi ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për adresimin e tij”, tha Sejko.

“Ndërhyrjet e BSH-së në tregun valutor kanë stabilizuar aktivitetin e këmbimit”, nënvizoi Guvernatori. e.xh/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.