Ministri Gashi pret ansamblin “Shota” pas suksesit në “Vitosha Folkfest”

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues dhe valltarë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, pas pjesëmarrjes së tyre të suksesshme në Festivalin Ndërkombëtar “Vitosha Folk Fest 2018”, në të cilin u shpërblyen me tri çmimet kryesore të festivalit.

Ministri Gashi uroi Ansamblin për çmimet e marra dhe i përgëzoi ata për punën që po bëjnë në promovim të traditave muzikore shqipe.

“Për mua është një kënaqësi e veçantë kur ka rezultate të mira. Na keni bërë të ndihemi mirë si Ministri si pjesë e juaja në kuptimin institucional. Unë ju përgëzoj për arritjet dhe për çmimet që keni marrë”, citohet të ketë thënë Gashi, sipas njoftimit për media.

Ai po ashtu tha se “rezultatet e arritura të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” na bëjnë të ndihemi krenarë e sidomos rezultatet e arritura në gara të mëdha jashtë vendit”.

Ministri i falënderoi për kontributin e dhënë dhe po ashtu bëri me dije se Ministria do të vazhdojë të mbështesë Ansamblin “Shota”.

“Ne do të vazhdojmë të ju mbështesim si Ministri dhe ju falënderoj për angazhimin dhe kontributin që jepni”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Nazmi Demaj, falënderoi ministrin për pritjen e tij.

“Ansambli gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivel. Ne çdo herë kemi sjellë nga jashtë çmime, në të gjitha garat në të cilat kemi marrë pjesë, jemi shpërblyer me çmime të para e të dyta”, tha Demaj.

Ndërkaq profesori nga Shqipëria, koreografi Fehmi Shaqiri, u shpreh po ashtu i kënaqur me pritjen e ministrit Gashi. Duke folur për sukseset dhe arritjet e ansamblit “Shota”, Shaqiri theksoi se si Ansambël kanë folklor shumë të madh dhe nuk ka ambasador më të madh dhe më të fuqishëm se sa ansambli “Shota”. /KosovaPress/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.