Negociatat, Balla: Shqipëria mori një “Po”, puna parapërgatitore jo më shumë se 12 muaj

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ – “Përtej pritshmërive tona, Shqipëria ka marrë një ‘Po’, një datë, dhe ka filluar punën parapërgatitore e cila nuk do të zgjasë më shumë se 12 muaj”.

Kështu deklaroi sot Taulant Balla, anëtar i komisionit parlamentar për Integrimin Europian, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të PS-së, i pranishëm në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Tiranë, me temë  “Çfarë pritet nga Shqipëria pas konkluzioneve të Këshillit të BE për çështjet e përgjithshme: Pritshmëritë dhe detyrat”.

Sipas Ballës, “përgjigja mund të ishte ‘Jo’, pa datë dhe mund të kishte filluar puna parapërgatitore që mund të zgjaste edhe 2 vjet”.

“Ka pasur një debat përse nuk kishte një datë konkret brenda vitit 2019 për tryezën portokollare mes qeverisë shqiptare dhe kolegjit të komisionerëve. E vetmja datë politike në axhendën europiane të vitit të ardhshme janë vetëm zgjedhjet në maj”, tha Balla.

Ai vlerësoi po ashtu edhe konsensusin e gjerë politik në BE i reflektuar edhe në Parlamentin Europian, 6 grupet më të mëdha politike ndanë tërësisht të njëjtin pozicion lidhur me vendimin, por edhe me raportin që parapriu vendimin e Këshillit.

“Le të jetë ky një model i mirë për politikanët shqiptarë, kur shohim se si të majtë e të djathtë në PE bëhen bashkë për të vlerësuar pozitivisht hapat e Shqipërisë”, tha Balla.

Ai falënderoi jo vetëm Social-Demokratët e Parlamentit Europian, por edhe PPE-në, që përtej simotrës së tyre politike në Tiranë, vendosën të mbështesin hapur Shqipërinë.

Duke u ndalur te hapat që duhet të ndërmarrë Kuvendi i Shqipërisë, Balla theksoi se “nuk duhet të ketë tentativë për bojkot dhe duhet një frymë bashkëpunimi mes palëve”.

“Në emër të maxhorancës ftesa është gjthmonë e hapur. Ne kemi disa orientime me adresimin tërësor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ajo që është e rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë është adresimi në kohë i raportit të OSBE/ODIHR-it”, tha Balla.

Tryeza e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, mblodhi së bashku, politikbërës, përfaqësues nga mediat, shoqëria civile, organizata rinore, sindikatat etj.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin Knut Fleckenstein, deputet i Parlamentit Europian, Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Taulant Balla, anëtar i komisionit parlamentar për integrimin europian dhe Anke Holstein, e ngarkuara me punë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Europian për çështjet e përgjithshme mbi zgjerimin dhe procesin e Stabilizim-Asocimit si dhe çfarë nënkupton për axhendën europiane të Shqipërisë si dhe zhvillimet e pritshme deri në 2019.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.