Dy qytetarë marrin në kohë reale lejen e legalizimit dhe certifikatën e pronësisë

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ – Pas ankesës në Zyrën e Bashkëqeverisjes, dy qytetarë arritën të gjenin zgjidhje për problemin e tyre me pronat, duke marrë në dorë lejen e legalizimit dhe certifikatën e pronësisë.

Dy rastet e paraqitura sot në takimin javor të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes, kishin të bënin me procedurat përkatëse pranë ALUIZNI-t dhe ZRPP-së së Korçës.

Qytetarët që i janë drejtuar kësaj platforme gjetën zgjidhje në kohë reale, edhe pse kishin vite që nuk merrnin përgjigje për shqetësimin e tyre.

Rasti i parë i paraqitur ishte ai i Besnik Cenit, avokat nga Tirana, i cili kishte që prej vitit 2006 që nuk gjente zgjidhje pranë ALUIZNI-t, ndërkohë që, pasi iu drejtua kësaj platforme mori në dorë lejen e legalizimit.

Ndërsa rasti i dytë, kishte të bënte me një qytetar nga Korça, i cili pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes arriti të merrte një pjesë të pronave të trashëguara.

Kryeministri vlerësoi punën e bërë për zgjidhjen e këtyre rasteve, ndërsa shtoi se, “sa i takon ecurisë së përditshme, ka një përmirësim që ka filluar të ndjehet tek administrata, edhe pse jo aq sa ne duam”. “Ka filluar të krijohet fryma e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “publikimi i këtyre rasteve shërben për të dhënë një pasqyrë konkrete për të gjithë njerëzit që kanë probleme, halle apo nevoja”.

“Njerëzit duhet të binden se mjafton të na vënë në provë përmes platformës ‘shqiperiaqeduam.al’ dhe do të marrin përgjigje dhe zgjidhje sa herë u takon zgjidhja. Kjo është edhe një mënyrë për të shkundur në vazhdimësi administratën dhe për ta futur në kthesën që duam. Ne duam që atë që po bën sot platforma ta bëjë në kohë reale çdo zyrë shteti”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.