Ballina Lajme nga Vendi

Çdo rast i zgjidhur për qytetarin, rast i ndëshkuar për punonjësin e administratës

TIRANË, 2 korrik /ATSH/- Bukurie Braka, një banore nga bashkia Cërrik, arriti të marrë certifikatën e pronësisë për shtëpinë e saj, brenda 10 ditëve pasi e adresoj problemin në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Duke marrë fjalën në takimin e zhvilluar sot paradite në Kryeministri, ku shefi i qeverisë, Edi Rama, zhvilloi takimin e radhës me koordinatorët për bashkëqeverisjen, Bukuria tha se, “I kam nisur aplikimet për të marrë tapinë e shtëpisë që në vitin 2014, por më sorollasnin dhe për gjëra, që nuk ishte e nevojshme të vinim deri në kryeministri me këto shqetësime”. Por falë aplikimit në platformën shqiperiaqeduam.al, unë mora zgjidhje brenda 10 ditëve, tha Bukuria, duke apeluar që sjellja e administratës në bazë duhet të jetë si ajo e në nivelin e lartë.

“Nese do të ishte ky përkushtim edhe në zyrat e bazës, nuk do të ishte e nevojshme për të ardhur deri në zyrën e kryeministrit. Duhet një qelizëm i administratës”, theksoi ajo.

I menjëherëshëm ka qënë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“Patjetër që duhet një qelizëm i thellë dhe këtë mund ta realizojmë vetëm nëse kemi këtë bashkëpunim me njerëz që vuajnë nga administrata, por nuk dorëzohen dhe siç është rasti yt, mjafton vetëm të na drejtohen”, tha Rama.

Vetëm kështu, theksoi kreu i Ekzekutivit,mund të zgjidhim rastet por edhe identifikojmë ata të cilët duhet të jenë pjesë e qelizmit.

Vendosja e administratës dhe zyrave të shtetit në presion nga lart e poshtë, sjell rezultat edhe identifikimin e personave problematik dhe punonjësve indiferent, apo dhe grabitqarë që pa futur dorën në xhep, nuk të japin zgjidhje për atë që të takon me ligj.

Kryeministri theksoi se, pas identifikimit do të merren masat përkatëse.

“Ne kemi një mënyrë funksionimi që do të vazhdojmë ta përmirësojmë, do të vazhdojmë ta intensifikojmë, ku çdo rast i zgjidhur është edhe një rast i ndëshkuar. Ku për çdo vonesë,  zvarritje apo pengesë të krijuar në mënyrë që bie ndesh me ligjin për qytetarët, të ketë përgjegjësi konkrete për individët që të ndëshkohen me të gjitha masat e parashikuara në Kodin e Punës apo Shërbimit Civil dhe në këtë mënyrë mesazhi në të gjithë administratën të forcohet çdo ditë, se çdo njeri i zakonshëm që të vjen përpara mund të jetë potencialisht personi që të shkarkon nga puna, nëse ti nuk bën punën”, deklaroi Rama.  e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.