Nis rikonstruksioni i segmentit te rruga e vjetër e Vorës, ARRSH: Ja si do devijohet trafiku

TIRANE, 1 korrik/ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se ditën e hënën, në orën 06-00 të mëngjesit do të fillojë ndërhyrja për rehabilitimin e segmentit rrugor Degëzimi Vorë (shinat e trenit)  – Fabrika e Tullave (rruga e vjetër) në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të rehabilitimit në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Bllokimi i askit rrugor dhe devijimi i trafikut do të fillojë në orën 06:00 të ditës së hënë datë 02/07/2018. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ju kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:

  1. Trafiku i mjeteve të rënda që vijnë nga Veriu në drejtim të doganës së Tiranës do të vijojnë normalisht nga Fushe Kruja në Doganë dhe do të kthehen përsëri nga i njëjti segment rrugor dhe do të vijojnë sipas destinacionit përkatës.
  2. Trafiku i mjeteve të rënda nga Veriu në drejtim të portit të Durrësit dhe Jug do të përdorin segmentin Fushë Krujë – Kamëz – rreth rrotullimi “Casa Italia” – Durrës.
  3. Trafiku i mjeteve të rënda nga Jugu, porti i Elbasani në drejtim të veriut do të përdorin segmentin rreth rrotullimi “Casa Italia” –  Kamëz – Fushë Krujë.
  4. Drejtuesit e autoveturave do të vijojnë normalisht drejt destinacioneve respektive duke përdorur urën e Vorës.
  5. Transporti i udhëtarëve në të dy drejtimet do të përdorin segmentin e rrugës së aeroportit të rinasit dhe mbikalimit të Kasharit.
  6. Ky devijim do të vazhdojë deri në përfundim të punimeve të rehabilitimit.

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren duke dhënë të gjitha orientimet e duhura dhe vendosur sinjalistikën e duhur për orientimin e trafikut.

Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.