Agjencia Telegrafike Shqiptare

KE njohu progresin me reformat e bëra nga Shqipëria

TIRANE, 1 korrik/ATSH/- Shqipëria, nënvizoi sot kryeministri Rama, mori rekomandimin pozitiv pa kushte nga Komisioni Europian që është mekanizmi i vlerësimit objektiv të ecurisë së vendeve që duan të integrohen në BE.

“Komisioni Europian është mekanizmi i vlerësimit objektiv, makineria e ngritur nga shtetet anëtare për të ndjekur në çdo hap procesin e për të dhënë konkluzione. Ndërsa në Këshillin e Europës jemi në nivelin e gjykimit subjektiv të shteteve anëtare që lidhet edhe me situatat brenda për brenda tyre”, sqaroi Rama gjatë turit të llogaridhënies në Korçë.

Sipas kryeministrit, deri një orë para përfundimit të bisedimeve për dhënien ose jo të një date, tre shtete ishin të vendosura për të mos caktuar një datë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa 25 shtete të tjera të udhëhequra nga Gjermania kërkonin vendosjen e një date.

Kjo, tha ai, mjafton për të kuptuar se në këtë konfiguracion problemi ishte i brendshëm dhe lidhej me mënyrën se si disa nga këto shtete do të arsyetonin në opinionin e tyre publik, ku fryjnë shumë erëra anti zgjerim dhe anti Bashkim Europian në tërësi.

“Ne ja dolëm të marrim datën dhe duhet ta dinë të gjithë edhe sikur vendimi të ishte marrë për të çelur menjëherë negociatat, përsëri do të ishte vendosur një datë që mund të shkonte deri në dhjetor apo qershor, e që lidhet me fillimin e procesit përgatitor dhe ngritjen e rrjetit që do të negociojë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se kjo ishte mënyra e vetme për të njohur progresin me reformat të bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe njëkohësisht për t’ u dhënë lehtësi këtyre tre shteteve të bindin opinionin e tyre që kërkojnë rishikimin e Europës.

“Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj kohë për të përgatitur gjithë strukturat dhe infrastrukturën e negociatave dhe sigurisht, edhe për të thelluar reformat. Ato nuk janë kushte, në kuptimin që “nuk i kishit bërë këto”, “bëni këto, pa të shohim”. Nuk është kështu. Gjithë procesi i integrimit, deri në fund, deri kur të firmosim anëtarësimin është një proces kushtëzimesh të vazhdueshme për të kryer detyra. Mali i Zi sot është në proces negociatash. Sot që flasim, ka 94 kushtëzime për të plotësuar në çdo aspekt, sepse i gjithë ky proces është ndërtimi i makinerisë europiane të shtetit brenda shtetit që negocion. Është shtetbërie europiane. E prandaj është i rëndësishëm për ne”, tha Kreu i Ekzekutivit.

/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version