VIDEO/ “Tirana Approach”, luftë kredive me probleme

“Tirana Approach”, luftë kredive me probleme

"Tirana Approach" (Metoda e Tiranës) nënkupton në të gjithë ato raste, kur një klient ka kredi në disa banka dhe kur të gjitha bankat që kanë të njëjtin klient duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë veprimet për të patur të gjitha mundësitë për ta kthyer atë në të suksesshëm".

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E shtunë, 30 Qershor 2018

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ – Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projekt të ri për zgjidhjen e çështjes së kredimarrësve të mëdhenj me probleme, që kanë ekspozime në disa banka të sistemit.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), u shpreh se nevoja për rregulloren e re ka ardhur si rezultat i analizës së portofolit të kredive me probleme dhe masave për uljen e nivelit të saj.

Brumbulli tha se, “Tirana Approach” (Metoda e Tiranës) nënkupton në të gjithë ato raste, kur një klient ka kredi në disa banka dhe kur të gjitha bankat që kanë të njëjtin klient duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë veprimet për të patur të gjitha mundësitë për ta kthyer atë në të suksesshëm”.

Pra, përpara se të shkojmë drejt falimentit, ne duhet të ezaurojmë përpjekjet më të mira të mundshme të të gjitha bankave huadhënëse, se ç’mundësi ka të rikthehet, ristrukturohet dhe të bëhet pozitiv dhe njëra nga bankat do të luajnë rolin kryesor, shpjegoi ai.

Kjo masë është më shumë për të lehtësuar në procedura dhe metodika e procesit është formuluar në bashkëpunim të ngushtë me BB duke u quajtur “Tirana Approach”, si model që ekziston edhe në vende të tjera me emrat e kryeqyteteve përkatëse.

Aktualisht niveli i kredive me probleme është i qëndrueshëm, ka mbetur në nivelin 13.5%. Në këtë 6-mujor ky tregues është i qëndrueshëm dhe nuk ka rritje të portofolit të kredive të këqija, siç kemi patur vitet e mëparshme, por gjithsesi synohet ulja e mëtejshme. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.