Arrestohen 2 shtetas, skemë mashtrimi me TVSH-në me dëm 85 mln lekë

TIRANË, 30 qershor/ATSH-A. Fortuzi/- Drejtoria e Hetimit Tatimor arreston 2 shtetas Erjon Tafa dhe Laert Barzezi, ky i fundit administratori i tre kompanive, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 sirianë. Të arrestuarit së bashku me tre sirianët akuzohen për krijimin e një skemë mashtrimi që rezulton 85 mln lekë në dëm të shtetit.

Nga hetimi disa mujor ka rezultuar se tre shoqëritë “FM Investment”, “Trade Investment” dhe “Albania Eksport Medicinal” kryenin blerje brenda vendit dhe importe me vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Tre shoqëritë rezultojnë inekzistente.

Operacioni u kodua “ZAISS”. Sipas njoftimit të policisë, “shtetasi Laert Barzezi rezulton administrator i tre shoqërive, përkatësisht shoqërisë “FM Investment“ me nipt L72411020L, dhe aksioner z. F. M, shoqërisë “Trade Investment “ me nipt L62030026D dhe aksioner z. A.D dhe shoqërisë “Albania Eksport Medicinal”, me nipt L51307511P dhe aksioner z. M. B. Gjithashtu shtetasi Erjon Tafa rezulton administrator i shoqërinë Zaiss Inert me NIPT L72415021Q, si dhe përfaqësues ligjor në subjektin “Erjon Tafa”, me NIPT L52423016S. Shoqëritë e sipërpërmendura kryenin blerje brenda vendit dhe importe në vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive dhe në vlera më të ulëta, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe duke abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Produktet e blera nga këto shoqëri i faturoheshin shoqërive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të shoqërive nën administrimin e z. Barzezi dhe z.Tafës. Pas verifikimeve në terren për adresën e ushtrimit të aktivitetit subjektet e sipërcituara rezultonin inekzistente. Gjithashtu subjekti “Erjon Tafa”, me NIPT L52423016S, ushtronte aktivitet në fushën e shërbimeve kontabël, ku kjo e fundit shërbente për të krijuar kushte e nevojshme për plotësimin e faturave të TVSH, deklarimin e tyre në sistemin tatimore, gjetjen e shoqërive. Kompanitë kishin nevojë të shkarkonin TVSH-në e mbedhur nga shitja e produkteve pa fatur tatimor si dhe shoqërive të cilat kishin nevojë për gjendje kreditore për të mos pagur detyrimet reale të TVSH.

Grupi i hetimit pranë zyrës kontabël sekuestroi në cilësinë e provave materiale gjithsej 10 vula të shoqërive të ndryshme, 7 pajisje fiskale, Blloqe TVSH të paplotësuar të shoqërive të ndryshme, mandate e transaksioneve bankare, etj, materiale këto që shërbenin për krijimin dhe mirëfunksionimin e kësaj skeme përfitimi.

Sipas të dhënave paraprake dëmi ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit rezulton në shumën 85,250,000 lekë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.