Siguria kufitare, 8 oficerë shqiptarë trajnohen në Serbi

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Tetë oficerë të patrullimit kufitar do të trajnohen përkrah Policisë Kufitare Serbe që të reagojnë në mënyrë efikase ndaj trafikut të paligjshëm përgjatë kufirit të gjelbër shqiptar.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur sot përmes rrjetit social “Facebook”, se trajnimi do të nisë këtë javë në malet e Serbisë.

Vitin e kaluar, Ambasada amerikane, nëpërmjet programit të Kontrollit të Eksportit dhe Sigurisë Kufitare (EXBS), dhuroi tetë Automjete Terreni (ATV) për Policinë e Kufirit dhe Migracionit Shqiptar.

“Këtë javë, programi EXBS ka identifikuar tetë oficerë të patrullimit kufitar për t’u trajnuar përkrah Policisë Kufitare Serbe për përdorimin efektiv të këtyre automjeteve në terren të thyer. Ky trajnim shumë operativ, i cili zhvillohet në malet e Serbisë, do të mundësojë Policinë Kufitare Shqiptare të reagojë në mënyrë efikase ndaj trafikut te paligjshëm përgjatë kufirit të gjelbër shqiptar”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë. /m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.