Foto/Shkolla “Ahmet Gashi”, qendër komunitare për të rinjtë e Laprakës

TIRANË, 29 qershor/ATSH/- Lapraka do të ketë një vatër të re sportive, ku të rinjtë e njësisë 11 mund të aktivizohen në aktivitete sportive.

Shkolla “Ahmet Gashi” në kryeqytet ka hapur dyert si qendër komunitare, për të shërbyer si mjedis për aktivitete të ndryshme sportive gjatë orëve të pasdites ose në fundjavë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se të rinjtë e Laprakës mund të stërviten në mjedise më të mira, duke shfrytëzuar terrenet sportive të shkollave.

Ai shprehu bindjen se investimet cilësore të bashkisë janë një mundësi më shumë që nga shkollat e kryeqytetit të dalin talente të reja nesër. “Ndoshta nga e gjithë Lapraka do spikasim 5-6 talente, por 60 të tjerët, do mësojnë si të jenë qytetarë më të mirë të Tiranës. Për një kryetar bashkie, interesi më i madh është te këta të fundit, jo te sporti elitar, sepse pyetja është: A kemi qytetarë elitarë? E kemi në dorë vetë”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në një nga kurset sportive, në mënyrë që ata të qëndrojnë larg veseve dhe jetës sedentare. “Sa më shumë prindër që i sjellin fëmijët të merren me sport, aq më pak fëmijë do të kemi nesër në pikat e basteve, nëpër kafene. Një mënyrë për të shmangur që kjo gjeneratë, të mos ketë fatin e gjeneratave të mëparshme, është t’i sjellim në kurse të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi edhe stafin e mësuesve dhe të trajnerëve që po përhapin një kulturë të re në kryeqytet, duke sjellë masivizimin e sportit tek të rinjtë.

Kjo nismë e Bashkisë së Tiranës që synon të nxisë të rinjtë të angazhohen në ushtrimin e sporteve të ndryshme, si dhe të vërë në dukje fëmijët që mund të kenë talente në sporte të caktuara, u vlerësua si pozitive edhe nga një prej figurave më të shquara të basketbollit shqiptar, kapiteni i kombëtares tonë, Gerti Shima. Ai falënderoi kryebashkiakun Veliaj për shtimin e terreneve të tilla sportive në kryeqytet për të larguar të rinjtë nga rruga.

Bashkia e Tiranës po zbaton me suksesin projektin “Shkolla Qendër Komunitare” me shfrytëzimin e mjediseve sportive të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Tiranës nga Federatat Sportive/Shoqatat sportive/Klubet sportive, për edukimin dhe masivizimin e sportit në Tiranë pas programit mësimor dhe në ditët e pushimit. /j.p/

 

z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.