Referimi elektronik redukton radhët e pacientëve për vizita mjekësore

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ – Referimi elektronik, që ka për qëllim heqjen e dokumenteve fizike, duke i kthyer ato në dixhitale, ka ulur fluksin e pacientëve duke përmirësuar shërbimin për qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thekson se tashmë qytetarët që kanë nevojë për një vizitë të specializuar, kanë si zgjidhje referimin elektronik për të shmangur sorollatjet dhe pritjet e gjata.

“Në Poliklinikën e specialiteteve nr 3 në Tiranë referimi elektronik ka ulur fluksin e pacientëve, duke përmirësuar shërbimin për qytetarët”, – nënvizon ajo.

Ministrja Manastirliu shprehet se po punojmë çdo ditë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor.

“Falë investimeve në infrastrukturë i është ndryshuar faqe asaj, që të gjithë e njohin si Poliklinika Qendrore e Tiranës”, – tha Manastirliu.

Pas recetës elektronike të ilaçeve, tashmë pacientët caktojnë online, nëpërmjet internetit, datën e vizitës te mjeku. /k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.