Policia bllokim mjeteve ujore të paregjistruara

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe Policia e Shkodrës po zhvillojnë sot një operacion për mjetet ujore artizanale që bëjnë transport pasagjerësh në liqenet e Komanit, Vaut të Dejës dhe liqenit të Shkodrës, duke vënë në rrezik jetët e tyre.

Sipas një njoftimi për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, pas inspektimeve dhe verifikimeve të mjeteve ujore që bëjnë transport pasagjerësh dhe automjetesh në liqenet e Komanit, Vaut të Dejës dhe liqenit të Shkodrës nga Drejtoria e Përgjithshme Detare janë konstatuar se ka mjete ujore që bëjnë transport pasagjerësh dhe automjetesh, të cilat janë artizanale dhe rrezikojnë jetët e njerëzve.

“Për këtë arsye, sot po zhvillohet një operacion në bashkëpunim me policinë e qarkut Shkodër dhe hetimit tatimor për bllokimin e mjeteve pirate dhe artizanale të paregjistruara dhe të pacertifikuara dhe që janë rrezik për turistë që lëvizin në këto liqene”, – theksohet në njoftim.

DPD bën të ditur se operacioni po vazhdon me verifikimin dhe bllokimin dhe është në proces. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.