Birra zvicerane me simbolin e shqiptarëve, Schurtenberger për ATSH: Do bëjmë edicion special…

TIRANË, 28 qershor/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Shenja e duarve, si shqiponjë në fluturim, është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe kjo shenjë dalluese e jona është një frymëzim për shqiptarët kudo ndodhen, si një shenjë përkatësie.

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, dy futbollistë shqiptarë, që aktivizohen me kombëtaren zvicerane pas shënimit të golave ndaj Serbisë, në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve në botërorin që po zhvillohet në Rusi, duket se kanë frymëzuar drejtuesit e birrës “Brauerei” në Zvicër të ndryshojnë etiketën e produktit të tyre.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka kontaktuar me David Schurtenberger, Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë “Bier Brauerei”. Duke folur për etiketën në fjalë, ai bëri të ditur se gjetja ishte një rastësi e bukur dhe krejt spontane, duke parë festimin e bërë nga futbollistët zviceranë me origjinë shqiptare.

“Fillimisht, ‘Doppelradler’ u mendua si shaka për faqen tonë të ‘Facebook-ut’, por tani kemi vendosur të bëjmë një edicion special me këtë etiketë. Nuk është përdorur asnjë recetë e re birre, birra jonë kryesore, “origjinalja” vetëm se ka një etiketë tjetër. Arsyeja për këtë shaka ishte natyrisht festimi i golit me gjestin e shqiponjës dykrenare nga Xhaka dhe Shaqiri. Kjo gjë shkaktoi diskutime dhe kundërshti në Zvicër”, – tha Schurtenberger.

“Nacionalistët zviceranë i akuzuan futbollistët se ishin nacionalistë (jo të vërtetë). Disa prej tyre, të cilët ende jetojnë në shekullin e 19-të, i thanë se ata nuk janë me të vërtetë zviceranë, zemrat e tyre do të rrahin vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo natyrisht që është absurde dhe ne donim të hiqnin diçka nga ky diskutim idiot dhe këtë ta bënim me një shaka. Ashtu siç mund ta dini, birra e përzier me limonadë në Gjermani quhet “Adler”. Fjala gjermane për shqiponjën shqiptare është “Doppeladler”, që saktësisht do të thotë “shqiponjë e dyfishtë”. Deri tani, të gjithë e dinë këtë fjalë në Zvicër. Nëse do të vendosni një “R” mes “Doppel” dhe “Adler”, atëherë përfitoni fjalën “Doppelradler”, që përsëri i përshtatet birrës”, – tha ai.

“Jemi të lumtur me suksesin e ekipit të futbollit të Zvicrës. Kushdo që luan për të është zviceran dhe përfaqëson vendin tonë. Nuk e vrasim mendjen shumë nëse lojtari ka qenë emigrant, apo nëse stërgjyshërit e tij nuk kanë qenë zviceranë. Dhe ne e dimë se ekipi nuk do të kishte qenë kaq i suksesshëm, në qoftë se këta lojtarë të mëdhenj me rrënjë shqiptare (dhe natyrisht edhe të tjerët) nuk do të luanin. Personalisht, nuk u kënaqa kur pashë Xhakën dhe Shaqirin (dhe më vonë edhe kapitenin Lichtsteiner) duke festuar në atë mënyrë. Por, jo sepse ata donin të tregonin lidhjen e tyre me atdheun “e vjetër”, por sepse pata frikë se një gjë e tillë mund të ishte një provokim i qëllimtë në adresë të Serbisë. Politika duhet të ndahet sa më shumë të jetë e mundur nga sporti, prandaj FIFA me të vërtetë ka humbur. Dhe pata frikë se FIFA do të jepte pezullime dhe jo vetëm gjoba.

Natyrisht tani ne shpresojmë që Zvicra të bëhet kampione bote dhe atëherë do të dërgojë gjysmën e trofeut në Shqipëri/Kosovë”, – tha për ATSH, Drejtori i Përgjithshëm i birrës “Brauerei”, David Schurtenberger. /r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.