Rruga Milot-Balldren, bonus 8.5% kompanisë që ka bërë studimin e fizibilitetit

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ – Shoqëria “A.N.K.” e cila ka kryer studimin e fizibilitetit për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren do të përfitojë bonusin prej 8,5% të akorduar nga Këshilli i Ministrave.

Këshilli i Ministrave ka vendosur që bonusi prej 8.5% të pikëve do t’i jepet kompanisë për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren”.

Vendimi i plotë

MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR “PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, FINANCIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E SEGMENTIT RRUGOR MILOT-BALLDREN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, si dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e bonusit prej 8,5% (tetë presje pesë për qind) të pikëve, që i jepet shoqërisë “A.N.K.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”.
  2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.