Presidenti Meta vlerëson Imzot Angelo Massafra me dekoratën “Nënë Tereza”

TIRANË, 27 Qershor/ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Angelo Massafra-n me dekoratën “Nënë Tereza”: “Për kontributin e shquar në drejtim të ripërtëritjes shpirtërore të besimit katolik në vendin tonë, për nxitjen, inkurajimin e promovimin e vazhdueshëm të bashkëjetesës paqësore, harmonisë dhe dialogut ndërfetar dhe në mirënjohje ndaj përkushtimit të paepur për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe rivendosjen e pajtimit kombëtar”.

Në fjalën e rastit gjatë ceremonisë së dekorimit ku ishin të pranishëm Nunci Apostolik, Ambasadori italian në Tiranë, deputetë dhe klerikë të lartë të Kishës Katolike, Presidenti Meta u shpreh se, “ky vlerësim solemn për Imzot Massafrën mishëron simbolikën e duhur sepse nga njëra anë përkon me jubilen e Vitit të Skënderbeut dhe nga ana tjetër dekorata mban emrin e Shenjtores së madhe për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza”.

“Kontributi i Imzot Massafrës në Shqipëri, tashmë prej më shumë se 25 vitesh – si një ‘udhëheqës shpirtëror’ dhe një klerik i devotshëm nuk mund të përkufizohet vetëm në rolin e tij të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin e komunitetit katolik shqiptar. Veprimtaria dhe përkushtimi i tij jetësor shkon madje përtej kornizës religjoze për kultivimin dhe promovimin e vlerave tona unike të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”, tha presidenti Meta.

“Imzot Massafra me dashurinë dhe dimensionin universal të një humanisti, ka sakrifikuar shumë në misionin e tij në luftën kundër fenomenit të kahershëm dhe plagës së dhimbshme të shoqërisë tonë, pikërisht atë të gjakmarrjes. Sot kemi dëshmitë shpresëdhënëse të dhjetëra familjeve, të cilat me ndërmjetësimin personal të Imzot Massafrës dhe në emër të besimit të tyre, i kanë falur gjakun njëra-tjetrës”, tha Presidenti Meta. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.