PEKIN – Takim Xi-Mattis: Vlerësohen marrëdhëniet e mira kino-amerikane

PEKIN, 27 qershor /ATSH/ – Presidenti kinez, Xi Jinping, u takua sot me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë, njofton CRI-ja.

Xi Jinping tha se “bota tani po kalon një periudhë reformash, globalizimi i ekonomisë po zhvillohet me ritme të mëdha dhe marrëdhëniet midis vendeve janë më të ngushta. Populli kinez këmbëngul të ndjekë rrugën paqësore të zhvillimit të vendit dhe jo atë të ekspansionizimit dhe kolonializimit. Marrëdhëniet kino-amerikane janë një ndër marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë. Historia 40 vjeçare, që prej themelimit të marrëdhënie diplomatike kino-amerikane dhe realiteti tregojnë se, nga sukesesi i zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane, do të përfitojnë jo vetëm popujt e dy vendeve përkatëse por e gjithë bota”.

“Të dyja palët duhet të nxitin zhvillimin e marrëdhnieve bazuar në parimin e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimin. Kina dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë interesa të përbashkëta në një gamë të gjerë fushash, të cilat duhet të tejkalojnë dallimet midis palëve. Përsa i përket çështjes së sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, qëndrimi ynë është mëse i qartë, ne nuk do të humbim territorin e trashëguar nga paraardhësit tanë dhe nuk duam ta ndajmë atë me të tjerët”, theksoi presidenti Xi.

Xi Jinping bëri të ditur se “marrëdhëniet midis dy ushtrive janë një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kohët e fundit, ushtritë e dy vendeve kanë ruajtur një ritëm të mirë zhvillimi, por ne duhet të forcojmë më tej shkëmbimet dhe ndërtimin e mekanizmave të duhura për më shumë bashkëpunim midis dy ushtrive, të nxitim komunikimin, të rrisim besimin reciprok, të thellojmë bashkëpunim dhe të kontrollojmë krizat, në mënyrë që marrëdhënia ushtarake dypalëshe të bëhet faktor i qëndrueshëm në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Mattis nga ana e tij falenderoi presidentin Xi Jinping për takimin me të dhe u shpreh se “SHBA-ja vlerëson rëndësinë e marrëdhënieve të mira midis dy ushtrive dhe dëshiron të përmirësojë sistemin e komunikimit me palën kineze, të nxitë dialog të hapur dhe të forcojë kontrollin e krizës, në mënyrë që marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve të bëhen faktor konstruktiv për nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënive kino-amerikane”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.