Hapja e negociatave, Meta: Lexim i drejtë i sfidave përpara nesh

TIRANË, 27 Qershor/ATSH/ – “Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot ndaj konkluzioneve të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme në BE, duke theksuar se, “ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE”.

Meta shprehet se, “kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”.

“Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë”, ka nënvizuar presidenti Meta.

Ndaj, ai i fton të të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.