Shqipëria, në 10 destinacionet kryesore të turistëve francezë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ – Media franceze “Journal de Dimanche” e rendit Shqipërinë në 10 destinacionet kryesore të turistëve francezë për këtë vit.

Ky është një tjetër artikull i publikuar në mediat ndërkombëtare që i bën jehonë Shqipërisë turistike.

Duke shpërndarë këtë artikull në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama veçon cilësimin që i bën vendit tonë kjo media, duke e konsideruar si “rivalin e ri të Kroacisë”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull të francezes Journal du Dimanche, që e klasifikon vendin tonë në 10 destinacionet kryesore të turistëve francezë këtë vit dhe e quan “rivalin e ri të Kroacisë”, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Më poshtë vijon shkrimi i Journal du Dimanche:

Shqipëria, vendi më i panjohur

Shqipëria bën pjesë në destinacionet e reja magjepsëse bashkë me Kolumbinë dhe Haitin, bën të ditur Jean-François Rial, drejtori i Agjencisë së Udhëtimeve të Specializuara ”Voyageurs du Monde”. 

Në kufi me Malin e Zi dhe Greqinë, ky vend i Ballkanit po zgjohet nga gjumi i gjatë i izolimit.

Ai po hapet dalëngadalë duke preferuar strategjinë e udhëtimeve: maja alpine, lugina të gjelbëruara, zona pjellore me faunë të pasur dhe një bregdet 600 kilometra, i kufizuar nga ujëra të kristalta të detit Jon dhe detit Adriatik.

Do të zbulojmë qytete otomane të regjistruara në trashëgiminë botërore të humanizmit si Berati dhe shtëpitë e tij të bardha me faqet ballore plot dritare apo Gjirokastra me rrugët e saj të shtruara me kalldrëm, pazarin e vjetër dhe kështjellën me mure të larta.  

Amfiteatro greko-romake ngrihen në mes të një bimësie të dendur në Butrint.

Agjencia e udhëtimeve ”Terres d’aventures” e ka përfshirë Shqipërinë në katalogun e saj, me një udhëtim tetë ditë duke filluar nga  1 150 € që nuk duhet humbur.

Rivali i ri i Kroacisë, vendi i shqiponjave është një nga terrenet e fundit të panjohur të Mesdheut./ /irmapu/ /m.m/ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.