Kuvend-KLSH, bashkëpunim për kontrollin e Ekzekutivit

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ – “Kontrolli i ligjshmërisë dhe performancës së qeverisë dhe agjencive të saj, dhe përgjithësisht kontrolli i degës ekzekutive të qeverisjes, është një mision i rëndësishëm që na ngarkon Kushtetuta, ligjet, interesi publik dhe qytetarët”.

Kështu deklaroi sot Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, gjatë një takimi me Hurbert Weber, personalitet botëror në fushën e auditit, ish-anëtar i Gjykatës Europiane të Auditit dhe ish Drejtor i Përgjithshëm i Gjykatës Austriake të Auditimit.

Kuvendi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, tha ai, po bashkëpunojnë në mënyrë të frytshme.

“Komisionet parlamentare dhe deputetët mbështeten në indiciet nga auditimet e Kontrollit në ushtrimin e detyrave të tyre funksionale për kontrollin parlamentar. Kuvendi jep të gjithë mbështetjen e vet që Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëhet gardian i ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes”, deklaroi Ruçi.

Ligji i ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, miratuar në vitin 2014, sipas Kryetarit të Kuvendit, ofron më shumë garanci për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, si edhe për bashkëpunimin efektiv me Kuvendin.

“Në vitin 2017, Kuvendi krijoi mekanizmin ndërinstitucional kuvend-qeveri-institucione të pavarura, si një instrument efikas për monitorimin sistematik të ndjekjes e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura ndaj ekzekutivit. Mekanizmi i krijuar nga Kuvendi është në harmoni me parimet e praktikat më të mira europiane për marrëdhëniet efektive midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit”, shtoi Ruçi.

Nga ana e tij, Weber falenderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe e informoi atë mbi bashkëpunimin e ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin efektiv midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e konsideruar këtë bashkëpunim mjaft të dobishëm për plotësimin e misionit të KLSH-së.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i pranishëm në takim, e vlerësoi ndihmën e madhe ligjore, institucionale dhe morale që Kuvendi i jep KLSH-së dhe një mbështetje të jashtëzakonshme për këtë institucion./m.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.