Infrastrukturë dhe zhvillim urban në Fier

TIRANË, 25 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Zhvillim dhe infrastrukturë në zonat që nuk kanë njohur asnjë investim prej vitesh në Fier.

Në vijim të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme rrugore, bashkia e Fierit ka filluar punën në lagjen “15 Tetori”.

Një zonë e lënë në harresë dhe ku prej vitesh nuk kishte asnjë investim, banorët e rrugës “Lami Monka” në lagjen “15 Tetori” tashmë do të kenë rrugët e munguara.

“Filluam sot asfaltimin e rrugës “Lami Monka” në lagjen “15 Tetori” për t’i dhënë fund mankthit të banorëve të kësaj zone që nuk kanë njohur asnjë investim prej vitesh”, – u shpreh kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Edhe gjatë vitit 2018, bashkia ka programuar disa investime në rrugët e qytetit dhe ato rurale përmes Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.

Në krahasim me vitin 2017 është planifikuar që të rriten ndjeshëm investimet për ndërhyrje në rrugë, trotuare si dhe në rrugët rurale në gjithë territorin e bashkisë Fier.

Në total gjatë vitit 2017, bashkia e Fierit ka ndërhyrë në rikonstruksionin e 13 akseve të brendshme të qytetit me vlerë totale prej 25,415,503 lekësh.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.