Vlorë, turizmi dhe biznesi përfitojnë nga investimet në qendrën historike

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ – Po shkon drejt përfundimit restaurimi dhe rikualifikimi urban i ansamblit ndërtimor në Qendrën Historike të qytetit të Vlorës, (TID) duke dhënë ndikim të menjëhershëm jo vetëm në xhiron ditore të bizneseve, rritjen e numrit të vizitorëve, rritjen e numrit të të punësuarve, por edhe në rritjen e vlerës së pronës dhe dëshirës së bizneseve për të investuar më shumë në qytetin e bukur bregdetar në jug të vendit, si atraksioni ku ndërthuret bukuria turistike me atë historike dhe investime bashkëkohore.

Një prej objekteve që po restaurohet në Qendrën Historike të Vlorës është edhe shtëpia e Marigo Posio, atdhetares së shquar, e cila qëndisi flamurin dhe shqiponjën e Flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Në zonën TID ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore. Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante, që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera nga pikëpamja arkitektonike.

Investimet që po kryehen në TID lidhen me disa aspekte që nga përmirësimi i shërbimeve publike tek menaxhimi sipas planeve të unifikuar, përmirësimet infrastrukturore apo marketimi i përbashkët. /e.xh//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.