SOFT NEWS – ”Ciao” feston 200-vjetorin!

ROMË, 24 qershor /ATSH/ – Ciao!

Përshëndetja më familjare italiane, e njohur në të gjithë botën, mbushi 200 vjeç.

Gjuhëtari italian, Nicola De Blasi thotë se në një roman francez të Paul Bourget, shkruar në vitin 1893, një personazh thoshte në italisht shprehjen ”Ciaò, simpatik!”, ndërkohë që në fillimet e viteve 900 ishte kompozuar edhe një vals me titullin ”Ciao”. Kjo përshëndetje u bë shumë shpejt e përdorshme në filmat e neorealizmit dhe në komeditë italiane, në kohën kur arti i shtatë italian po njihte një sukses botëror.

Dhe të mendosh se kjo fjalë nuk ka asgjë të përbashkët me intimitetin, nëse është e vërtetë, dhe është e vërtetë që ”ciao” rrjesh nga latinishtja ”sclavum”, pastaj në variantin ”slavum”.

Duke filluar nga vitet 400, në Itali futet zakoni i përshëndetjes së dikujt duke deklaruar skllavin e tij: që nga kjo kohë fjala ”ciao”, që rrjedh nga dialekti venecian ”s’ciavo”, skllav, u kthye në përshëndetje.

Por, ka një ditëlindje të kësaj fjale.

Ekzaktësisht, dy shekuj më parë, kjo fjalë u shkrua për herë të parë.

1818-a është viti kur tragjediografi, Francesco Benedetti, përmend në një letër mirësjelljen e milanezëve dhe shkruan se ”këta milanezët e mirë kanë filluar të më thonë Ciau Benedettin!”.

Nga ana tjetër, një vit më vonë, shkrimtarja angleze Sidney Morgan aludon për sjelljen e disa spektatorëve, të cilët, në një ambient të ”La Scala”-s shkëmbenin një ”ciavo të përzemërt”.

Një tjetër konfirmim për 200-vjetorin e lindjes së kësaj fjale vjen nga një letër e konteshës veroneze, Giovanna Maffei, e cila në vitin 1818 shkruan se ”im bir kërkon që t’i them ciao tim shoqi”. (Marrë me shkurtime nga gazeta italiane ”Corriere della Sera”)./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.