Programi i Rilindjes Rurale, zhvillim për turizmin

TIRANË, 24 qershor /ATSH- I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama duke sjellë transformimin e shesheve në qytetet e mëdha të vendit dhe në çdo bashki, e konsideron transformimin urban, si një mundësi të madhe zhvillimi ekonomik në fushën e turizmit dhe të agroturizmit.

Duke folur se modeli i sheshit “Skëndërbej” është një zinxhirë transformimi në të gjithë vendin, Kryeministri Rama tha se “ky nuk është fundi, ky është vetëm kapitulli i parë i një libri që ne do të vazhdojmë ta shkruajmë, duke u përpjekur tanimë që këtë zinxhirë transformimi ta shtrimë përtej  qendrave, përtej lagjeve të qyteteve duke shkuar drejt zonave rurale, ku sapo kemi nisur projektet dhe filluar të zbatojmë pak nga pak disa prej tyre për programin e dytë të madh si Programi i Rilindjes Rurale”.

Më tej, Rama shtoi se është shumë çarmatosëse në momentin e parë shprehja: “Njerëzit nuk kanë bukë, ju bëni sheshe”.

“Njerëzit s’kanë bukë ju mbillni pemë. Njerëzit s’kanë bukë ju vini drita, por në fakt për aq sa mund të merret e mirëqenë si shprehje, se ata që flasin për mungesën e bukës në Shqipëri nuk e kanë haberin se çdo të thotë një vend pa bukë. Se çdo të thotë një vend me uri. Problemi i Shqipërisë nuk është buka dhe uria, problemi i Shqipërisë është se në shumë zona janë shumë hallka të jetës së përditshme të qytetarëve që janë të munguara ose janë të ndryshkura ose që kërkojnë më patjetër që kërkojnë të transformohen që kanë të bëjnë me fëmijët, që kanë të bëjnë me të moshuarit dhe të gjithë mundësin për të pasur akses në rrugët e zhvillimit individual dhe të zhvillimit familjar” tha Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri tha se hapësirat urbane sjellin shumë të mira por sjellin ekonomi siç po ndodh kudo pak nga pak.

“Nëse sot, Shqipëria është një vend ku po flitet kaq shumë, jo vetëm mes nesh por edhe në të gjitha ambientet ku planifikohen investime në turizëm në Europë dhe Mesdhe, kjo lidhet drejtpërdrejt më këtë transformim. Kjo lidhet me fuqinë tërheqëse që kanë pamjet e këtij transformimi tek ata të cilët dëshirojnë ta vlerësojnë mundësin e investimit në Shqipëri”, tha Rama.

Një tjetër fokus ku u ndal Kryeministri ishte edhe mundësia që investitorët të investojnë në ngritjen e hoteleve me 5 yje.

“Para pak ditësh bëmë një takim me një grup investitorësh që kërkojnë të investojnë në hotelet me pesë yje dhe pa përjashtim të gjithë flisni me superlativa për Tiranën, me entuziazëm për bregdetin, jo më thjeshtë si bukuri e natyrës, por si një zonë e mundshme zhvillimi, me shumë gjëra që deri dje ishin fshehur në plehra dhe në ngrehina të ndërtuar pa leje, që kanë filluar të marrin një shkëlqim rrezatues dhe tërheqës.

Patjetër nëse ne do të mendonim se mund të kishim ndërtuar aeroportin e Vlorës qysh katër vjet përpara, do të kishim shumë më shumë investitorë”, përfundoi Kryeministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.