Sipërmarrës e firma globale, interes të madh për investime në hotele me 4 dhe 5 yje

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zhvillimi i turizmit si një motor gjithmonë e më i fuqishëm për ekonominë kërkon shumë më tepër forca të kualifikuara pune.

Në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, Kryeministri Edi Rama shprehu domosdoshmërinë e rritjes së fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Kemi një problem shumë të madh të trashëguar për shkak të një boshllëku mbi 20-vjeçar, ku u shkatërrua arsimi profesional. Sot e shikojmë që 80% e personave që marrin arsim profesional në rang republike, punësohen përpara se sa të mbarojnë shkollën, sepse me sistemin e ndërtuar, vendosin lidhjet me kompanitë private gjatë shkollës”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot kemi një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës nga investitorë të mëdhenj dhe firma globale të turizmit me 4 dhe 5 yje, që duan të investojnë në Shqipëri”.

“Ata duan të përfitojnë nga lehtësitë që ne kemi krijuar në legjislacion, por edhe se Shqipëria po bëhet destinacion i kërkuar. Ne duhet t’iu përgjigjemi këtyre kërkesave me forca të kualifikuara për gjithë zinxhirin e shërbimeve në turizëm”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.