Së shpejti nis ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, mbi 1 mijë vende pune

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155904680616523/

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Aeroporti i Vlorës do të ketë tarifat më të ulëta në rajon.

Kështu deklaroi të shtunën Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, ku u ndal te projekti për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

“Ne kemi kërkuar dhe jemi drejt përfundimit të negociatave që të kemi aeroportin e Vlorës me tarifat më të ulëta në rajon”, – tha Rama.

Ai theksoi se “aeroporti i Vlorës do të jetë ndërkombëtar dhe konkurues i drejtpërdrejtë me atë të Rinasit”.

“Nga pikëpamja e parametrave do të jetë jashtëzakonisht cilësor dhe nga ajo e çmimeve do të jetë shumë më i favorshëm për udhëtarët, si vendas edhe të huaj”, – tha Rama.

Ai theksoi se çdo ditë janë rreth 1600 persona që lëvizin drejt Athinës, të cilët tani mund të përdorin aeroportin e Vlorës.

Po ashtu, Rama theksoi se në aeroportin e Vlorës do të përpunohen edhe mallra.

“Nga koha kur ka nisur të bëhen fushata elektorale, në çdo fushatë, të gjithë kanë ardhur e kanë thënë se do të bënin aeroportin, aq sa u bë barsaletë tradicionale e fushatave elektorale”, – tha Rama.

Në ndryshim nga premtimet e qeverisjeve të mëparshme, Kryeministri theksoi se “në muajt në vijim ne fillojmë ndërtimin e Aeroportit”.

Kryeministri theksoi se “aeroporti në vetvete kërkon mbi 1 mijë forca pune, në një tërësi zanatesh dhe kualifikimesh, të punësuar me paga të larta, sepse ka një zinxhir të tërë aktivitetesh dhe kërkohen njerëz të kualifikuar”.

“Por nëse direkt në aeroport do të ketë mbi 1 mijë punësime për shkak të aeroportit vlerësohet se rritja e punësimit është në raportin 1 me 27 të punësuar, si pasojë e aktiviteteve që Aeroporti sjell nga pikëpamja ekonomike e tregtare aty ku ndërtohet”, – tha Rama.

Ai theksoi se do të jenë 27 mijë të punësuar pas ndërtimit të aeroportit. “Ky është minimumi ku niset llogaria për 4 dhe 5 vitet e ardhshme dhe këto do të jenë vende pune të drejtpërdrejta si rezultat i ndërtimit të aeroportit. Ai do të sjellë shumë aktivitete të tjera që lidhen me transformimin e zonës, në një zonë referimi për zhvillimin ekonomik e tregtar dhe të shumë industrive të lehta, apo shumë investime rreth këtij territori, ku aeroporti hap një zhvillim krejt tjetër”, – tha Kryeministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.