Projekte për ta kthyer Vlorën në një magnet të fortë tërheqës

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Vlora do të ketë gati projekte të tjera të rëndësishme në infrastrukturë, siç janë bulevardi i ri dhe qendra historike e qytetit.

Në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, Kryeministri Edi Rama tha se “do të vazhdojë rindërtimi i shumë pjesëve që janë sot në nevojë për rindërtim”.

Ai u ndal te qendra historike e Vlorës, që e cilësoi një domosdoshmëri për të rritur kapacitetin tërheqës të qytetit dhe për të përforcuar identitetin e qytetit, duke e kthyer në një magnet më të fortë tërheqës, që do të krijojë më shumë ekonomi”.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se do të vazhdohet me pjesën tjetër të “Lungomares”, sepse projekti vazhdon përtej fushave të sportit deri te tuneli. “Po bëjmë projektin e ri tunel-Radhimë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ka nisur rindërtimi i bulevardit të Vlorës, vazhdim i vijës magjepsëse të ‘Lungomares’, i cili do të jetë gati sezoni e ardhshëm turistik”.

‘Nuk ka asnjë ankesë nga qytetarët e Vlorës, që po u bllokohen makinat, apo ku do të parkojnë. Mesa duket ia vlejti sakrifica e ndërtimit dhe bllokimit dhe durimit me ‘Lungomaren'”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.