Mbi 233 mijë të punësuar më shumë nga maji 2013

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Janë mbi 233 mijë të punësuar më shumë në sektorin jo-bujqësor në Shqipëri që nga maji i vitit 2013.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës.

Vetëm në Vlorë, tha ai, “janë krijuar 1016 vende të lira pune, ku ndër sektorët me më shumë peshë është turizmi”.

Rama u ndal te shifrat në rritje të punësimit në vend, të cilat i cilësoi gjithnjë e më inkurajuese lidhur me ekonominë e punësimin.

“Më vjen mirë të ndaj me ju një shifër krahasimore shumë domethënëse që lidhet jo me anketat e punësimit, as me projeksione mbi baza rezultatesh statistikore të ndërtuara nga distanca, por mbi regjistrin kombëtar të sigurimeve shoqërore”, – tha Rama.

Duke sjellë statistikat e këtij regjistri, Kryeministri theksoi se “në Shqipëri në maj të vitit 2013 kishte 445 157 të punësuar në sektorin jo-bujqësor”.

“Në maj të vitit të shkuar, kishim 640 266 të punësuar ose rreth 200 mijë më shumë. Ndërsa nga maji i vitit të shkuar në majin e këtij viti, në regjistrin e sigurimeve shoqërore që është pasqyra e të gjithë të punësuarve që kontribuojnë në ekonomi dhe që janë të siguruar kemi 673 640 të punësuar, ose rreth 33 374 njerëz më shumë të punësuar në sektorin jo-bujqësor”, – tha Rama.

Në gjithë këtë transformim rrënjësor të shifrave të punësimit, sipas Kryeministrit, formalizimi është një element i pandryshueshëm, por ana tjetër është punësimi real i vazhdueshëm.

Vetëm nga Zyrat e Punës, sipas tij, në muajt mars, prill dhe maj kanë kaluar 10 mijë të punësuar të rinj.

“Këtu flas për të punësuar që figurojnë në regjistrin kombëtar të sigurimeve shoqërore, nuk flas për të punësuar në bujqësi, që i numërojmë me hamendje, apo për hamendësime dhe anketime të natyrave të tjera”, – shtoi Kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.