PRISHTINË, 23 qershor/ATSH/ – Basketbollisti i përfaqësues së Kosovës, Gazmend Sinani, humbi jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti rrugor.
Federata e Basketbollit të Kosovës në një njoftim për shtyp bën të ditur se si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe basketbollistët, Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina si dhe fizioterapeuti i përfaqësueses kosovare, Kujtim Shala.
Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje.
Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.
Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.
Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë frymëzim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.
Për ndarjen e parakohshme nga jeta të Sinanit, krerët e lartë të shtetit të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i kanë shprehur ngushëllime familjes. Ata e kanë cilësuar tronditës lajmin për vdekjen tragjike të basketbollistit Sinani. /k.s/
