ETIOPI – Kryeministri Ahmed shënjestër e një atentati

ADIS ABEBA, 23 qershor /ATSH-DPA/ – Organizatorët e një tubimi politik në kryeqytetin etiopian, Adis Abeba, thanë sot se kryeministri reformator i vendit, Abiy Ahmed ishte në shënjestër të një shpërthimi që shkaktoi disa të plagosur.

“Kryeministri Ahmed ishte shënjestra e këtij sulmi”, deklaroi Seyoum Teshome, një nga organizatorët kryesorë të këtij takimi elektoral.

“Një person u përpoq të hidhte një granatë përballë vendit ku rrinte kryeministri, por u bllokua nga turma. Dy burra dhe një grua, të dyshuar për sulmin u arrestuan”, tha ai.

Vendi i 100 milionë banorëve, Etiopia është drejtuar për një kohë të gjatë me dorë të hekurt.

Pavarësisht një zhvillimi të shpejtë ekonomik, ajo mbetet një nga vendet më të varfra të botës, sipas statistikave të OKB-së./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.