Aeroporti i Vlorës me impakt të madh në ekonomi

TIRANË, 23 qershor/ATSH/- Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës i cili do të ndërtohet përmes një investimi prej 100 milionë eurosh në pistën e aeroportit ushtarak në Akërni, në një sipërfaqe prej 300 hektarësh do të ofrojë çmime shumë më të ulëta për qytetarët shqiptarë.

Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Krislen Keri shpjegoi edhe impaktin që do të ketë ndërtimi i këtij aeroporti jo vetëm në zhvillimin ekonomik të zonës, por edhe në zhvillimin e vendit në tërësi, pasi Vlora është qarku turistik më i madh në vend, me një vijë bregdetare prej disa kilometrash.

“Kemi marrë një kërkesë nga një bashkim kompanish turke, e cila po ndërton aeroportin më të madh në botë”, – deklaroi Keri.

Sipas tij, ndërtimi i këtij aeroporti do t’u mundësojë qytetarëve shqiptarë lëvizjen me çmime më të ulëta se sa Rinasi. Por synimi ynë, theksoi ai, është të sjellim çmimet më të ulëta në rajon.

Sot tha ai, për shkak të ekskluzivitetit të Rinasit shqiptarët janë të vetmit shtetas në rajon, por edhe më gjerë, që udhëtojnë me çmime shumë të larta.

Aeroporti do të punësojë rreth 1 mijë persona dhe standardet që do të ofrojë janë ato europiane.

Sipas Kerit, u zgjodh Vlora për ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar, për shkak të
pozicionit gjeografik. “Është një pikë strategjike, së pari për aksesin e shtuar të turizmit, por edhe lidhjen me shtetet fqinje, që do e bënte këtë aeroport shumë atraktiv edhe për qytetarët e vendeve fqinje”, – theksoi Keri.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.