Rritja e numrit të turistëve, mundësi për të zhvilluar agro- turizmin

TIRANË, 22 qershor/ATSH/-Kryeministri Edi Rama ripërsëriti thirrjen e tij për emigrantët shqiptarë që të kthehen në vend e të investojnë kursimet e tyre në agro-turizëm.

“Është një investim fitimprurës, pasi Shqipëria po njeh rritje të madhe të numrit të turistëve”, deklaroi Rama nga Saranda ku po zhvillon turin e radhës së llogaridhënies.

Kreu i qeverisë shtoi se “po shikojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve që do të thotë më shumë para, pune e investime në vend”.

Rritja e numrit të turistëve, sipas kryeministrit, përbën një mundësi për të zhvilluar agro- turizmin nga një sektor tërësisht i pazhvilluar.

Po ashtu, theksoi ai, është përgjigjja më e mirë kundër varfërisë e pamundësisë së shumë familjeve për të pasur një rrugë që të krijojnë mirëqenie.

Lidhur me këtë argument, kryeministri Rama prezantoi edhe disa nga lehtësitë fiskale që po ndërmerr qeveria shqiptare për të stimuluar investimet në këtë sektor.

“Kemi bërë tatim fitimin për bizneset në fushën e agro turizmit 5% dhe TVSH-në 6%”, u shpreh Rama.

Turistët e shumtë që vijnë në Sarandë për diellin e detin, shtoi kryeministri, do të kalonin me shumë kënaqësi edhe një darkë apo edhe dy netë në njësi të agro-turizmit./a.gjonaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.