Pronat e minoritetit, materialet kompromentuese pranë komisionit të Vetingut

TIRANË, 22 qershor/ATSH/-Një qytetar nga Saranda i kërkoi kryeministrit të vendit më shumë akte nënligjore për përfaqësimin e minoritetit në institucione dhe veçanërisht në pjesëmarrjen e jetës publike.

Duke sjellë në vëmendje ligjin mbi pakicat kombëtare, qytetare shpjegoi rëndësinë e pjesëmarrjes në jetën publike ndërsa kërkoi përfaqësim në përqindje të pakicave në administratë.

“Marrëdhëniet e minoritetit me shtetin shqiptar janë përmirësuar dhe me nismat tuaja ka filluar të krijohet besim, por akoma nuk kemi arritur aty ku duhet. Duhet patjetër t’i referohemi pjesëmarrjes në jetën publike të minoriteteve jo vetëm me pjesëmarrje në aktivitete kulturore. Ne propozuam që në të gjithë piramidën e shtetit, minoriteti duhet të ketë pjesën përkatëse, sidomos në parlamentin shqiptar”, tha qytetari ndërsa solli në vëmendje problemin e pronave për minoritetet.

Ndërsa qytetari shpjegoi se problemi i pronës është aktual për minoritetin, vuri në dukje  se pseudo-pronarë  po falsifikojnë dokumentet për të marrë pronat. Kryeministri i vendit i siguroi qytetarit se legalizimet janë bllokuar për të verifikuar çdo rast, për pronat.

Në vazhdim të problemit të pronave, Rama u bëri apel qytetarëve që për çdo material që zotërojnë që kompromentojnë figurat e gjyqtarëve në afera korruptive, duhet t’i dorëzojnë pranë komisionit të Vetingut.

“ E para është që Vetingu është një proces për të gjykuar nëse gjykatësi apo prokurori janë apo jo të denjë për të vazhduar detyrën. Një gjykatë e pastër e pastruar do të jete në gjendje të japë Drejtësi dhe do të japë dënimin pa ndikimin e politikës. Ndërkohë që, ju duhet që të gjithë informacionin që keni dhe materialet kompromentuese, t’i çoni në Komisionin e Vetingut, sepse të gjithë do kalojnë në komisionin e Vetingut. Por, ju materialet duhet t’ia çoni komisionit dhe të jeni të sigurt që procesi i pastrimit do ndodhë, Nuk është një proces që mbaron sot për nesër. Ama po pastrohet dite për dite. Është proces dhe po ndodh. Nuk mundet dot të bëhet gjithçka sa hap e mbyll sytë dhe trupi i pastër reagon ndaj  të gjitha mikrobeve të padrejtësisë”, përfundoi Rama. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.