Platforma “shqiperiaqeduam.al”, investitori merr zgjidhje pas 8 vitesh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155902733156523/

TIRANË 22 qershor/ATSH/ – Një investitor nga Shkodra mori certifikatën e pronësisë së një fabrike të industrisë së lehtë të ndërtuar prej tij, falë ankesës në portalin e platformës “shqiperiaqeduam.al”.

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes në Kryeministri, Adela Aliaj, në një intervistë për ERTV-në tregon mbi zgjidhjen e shpejtë që iu dha problemit të këtij investitori nga Shkodra. “Investitori nga Shkodra prej 8 vitesh nuk kishte mundur t’i jepte zgjidhje problemit të tij, sepse sorollatej sa nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, sa në bashkinë e Shkodrës. ZRPP Shkodër i refuzonte certifikatën me pretendimin se nuk dispononte leje shfrytëzimi, leja e shfrytëzimit nuk mund të jepej, pasi të dhënat e planimetrisë nuk përputheshin me të dhënat në lejen e ndërtimit”, – nënvizoi Aliaj.

Koordinatorja Aliaj sqaroi se “kjo ankesë u pa me prioritet, se kishte të bënte me zgjidhjen e problemit të investitorit, marrjen e certifikatës, por edhe me çështjen e punësimit, sepse investitori kishte lidhur kontratë me një firmë ndërkombëtare për prodhimin e çantave, ku në këtë fabrikë do të punësohen 150 punëtorë dhe 50 të tjerë, që do të kryenin procese të ndryshme nga shtëpitë”.

Sipas saj, pas verifikimeve të bëra nga zyra e bashkëqeverisjes mes ZRPP Shkodër dhe bashkisë Shkodër, rezultoi se nuk kishte asnjë pengesë ligjore, por një nevojë koordinimi dhe informimi mbi plotësimin e dokumentacionit përkatës, që zotëria të realizonte të drejtën e tij.

Aliaj informoi se ka nisur hetimi administrativ për ndëshkimin e personave përgjegjës për zvarritjen e pajustifikuar të dosjes. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.