Aksi Llogara-Sarandë po transformohet, jo më xhep fals i Shqipërisë

TIRANË, 22 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Nga një xhep fals i Shqipërisë, i gjithë aksi Llogara-Sarandë po transformohet dhe zhvillohet me shpejtësi, falë investimeve të qeverisë.

Kështu deklaroi sot nga Himara, Kryeministri Edi Rama, i cili në vijim të turit të llogaridhënies publike zhvilloi një takim me banorët e zonës ku foli për projektet e realizuara dhe investimet e parashikuara për të ardhmen.

“Shikoni se çfarë është bërë në 4 vite e gjysmë në aksin Llogara-Sarandë dhe çfarë u bë në 25 vjet, që u katandisët në xhep fals të Shqipërisë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka ende shumë gjëra për të bërë akoma, por nëse në 4-vjeçarin e parë ne hapëm rrugën e transformimit në gjithë bregun e Jonit, në 4-vjeçarin e dytë do të adresojmë të gjitha problemet që u ngritën.

“Këto janë probleme në adresim e sipër, si ai për ujësjellësin e Borshit, për shëtitoret bregdetare të mbetura përgjatë vijës bregdetare, rrugës së Lumit të Vlorës, i cili do të përfundojë brenda këtij mandati, çështjes së pronave, një problem i gjatë e shumë rraskapitës, e kështu me radhë”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.