Përfundon rikonstruksioni i konvikteve të Qytetit Studenti Nr. 2

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Studentët që banojnë në ambientet e Qytetit Studenti nr. 2 do të përfitojnë tashmë nga dy konviktet e rinovuara rishtazi, sipas parimit të eficiencës së energjisë, ndërkohë që dy konviktet e tjera do të përfundojnë brenda vitit 2018.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, anëtari i bordit menaxherial të KfW Roland Siller dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi.

Rikonstruksioni u krye në kuadër të financimit nga banka gjermane KfW me një shumë prej 6.8 milionë euro. Projekti ka si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së rreth 1000 studentëve që jetojnë në këto konvikte, nëpërmjet rinovimit të godinave përmes një sistemi të përmirësuar ngrohjeje dhe izolimi, si edhe rinovimit nga e para të strukturës së brendshme të godinave duke siguruar kështu kushte më të rehatshme për studentët.

“Jam i bindur se ne shumë shpejt do të vazhdojmë dhe me fazën e dytë të këtij programi kaq të rëndësishëm për eficiencën në energji që është ndërhyrja në Qytetin Studenti numër 1. Është një ndërhyrje më e madhe e cila shkon gati 10 milionë euro, pra krahas 6 milionë eurove të investuara këtu, gjë që do të përbëjë stokun më të madh të investimit në fushën e eficiencës së energjisë. Realisht është një model shumë i mirë. Qeveria shqiptare i ka dedikuar një vëmendje të veçantë eficiencës së energjisë duke e konsideruar atë një burim shumë të rëndësishëm energjie sepse vetëkursimi përbën burim”, – u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë mbi të gjitha në sektorin elektroenergjetik. “Ne me Gjermaninë, me KfW-në, kemi projekte jashtëzakonisht të rëndësishme në fushën e energjetikës, pse jo edhe në fushën tjetër të infrastrukturës në ujësjellës-kanalizime. Kam kënaqësi që t’i konsideroj partnerët më seriozë që ka pasur sektori elektroenergjetik dhe sektori i infrastrukturës në këto fusha”, – nënvizoi Gjiknuri.

Ambasadorja e Gjermanisë vlerësoi bashkëpunimin dhe produktin e arritur në këtë projekt.

“Në 30 vite të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, që ne e festojmë këtë vit, ky projekt është një model i përmbushjes së objektivave. Pra po përmirësojmë kushtet e jetesës për njerëzit, të promovojmë punësimin dhe të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian duke përmbushur dhe angazhimet ndërkombëtare”, – theksoi Schutz.

Përfaqësuesi i bankës KfW u shpreh gjithashtu i kënaqur për rëndësinë që kanë investimet në eficiencën e energjisë dhe ajo çka po bëhet në Shqipëri.

“Është një investim në të ardhmen e Shqipërisë, për brezin e ri. Jam i kënaqur që ne si KfW po japim kontributin tonë në eficiencën e energjisë. Eficienca është në zemër të asaj çka KfW po bën në Gjermani dhe jashtë saj. Më vjen mirë që këtu po ndërtojmë një projekt pilot, që mund të përdoret edhe për konvikte të tjera studentësh apo ndërtesa publike, duke treguar se si mund të reduktojmë konsumin e energjisë me 50 apo 60%. Kjo është ambicioze dhe eficienca e energjisë ka një avantazh të madh”, – nënvizoi Roland Siller.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi, në cilësinë e përfaqësuesit e të institucionit përfitues nga ky investim, e cilësoi atë një hapësirë europiane.

“Do të doja t’i uroja shumë suksese stafit dhe studentëve pikërisht në këtë pjesë Europe. I referohem pjesë Europe, sepse si nga pikëpamja e ndërtimit, por edhe nga pikëpamja e funksionalitetit dhe shërbimeve të tjera aty shikoj një pikë ‘mobike’, ambientet që janë supermoderne dhe procesi i mësimdhënies, i cili ka shënuar hapa përpara, bën që këta studentë të integrohen sa më mirë në rrugën e ardhshmërisë”, – u shpreh Seferi.

Duke marrë parasysh rëndësinë që masat për eficiencën e energjisë kanë për ulje e kostove dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, qeveria gjermane, përmes KfW ka angazhuar rreth 16.5 milionë euro në favor të të tilla masave në ndërtesat publike, nga të cilat 6.8 milionë euro janë dhënë për konviktet e Qytetit Studenti Nr. 2 ndërkohë që 9.6 milionë euro të tjera janë dhënë për rehabilitimin mbi bazën e parimit të eficiencës së energjisë në konviktet e Qytetit Studenti Nr. 1. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.