BRUKSEL – BE shqyrton mundësitë e grumbullimit të migrantëve në Afrikën Veriore

BRUKSEL, 21 qershor ATSH-DPA/ – Komisioni Europian po shqyrton mundësitë për një ”skemë zbarkimi”, sipas së cilës migrantët e shpëtuar në det do të dërgohen në qendra në Afrikën Veriore, ku do të procedohet edhe me kërkesat e tyre për azil, deklaroi sot eurokomisioneri për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopulos.

Ky propozim është i fundit në mosmarrëveshjet e lindura në Bashkimin Europian për çështjen e migrimit, pasi Italia mbylli portet e saj, javën e kaluar, ndaj një anijeje me 630 migrantë, e shpëtuar në detin Mesdhe, ndërkohë që ka kërkuar më shumë ndihmë nga vendet anëtare të BE-së.

”Komisioni ka diskutuar idenë e ‘skemës së zbarkimit rajonal’ me OKB-në dhe me Zyrën Ndërkombëtare të Migrimit (IOM)”, deklaroi Avramopulos.

Në këtë kontekst, ai iu referua faktit që BE kërkon të intensifikojë në veçanti bashkëpunimin e saj me Algjerinë, Egjiptin, Libinë, Tunizinë, Nigerin dhe Marokun.

”Asnjë nga këto vende nuk është dakordësuar, por, realisht ato duan të bashkëpunojnë me ne”, theksoi Avramopulos.

Ideja e ”platformave të zbarkimit” ndodhet edhe në draftkonkluzionet e përgatitura nga presidenti i KE-së, Donald Tusk për samitin e BE-së të javës së ardhshme.

Të dielën e ardhshme, 10 liderë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrin italian, Giuseppe Conte, do të zhvillojnë bisedime për krizën e migrantëve, në prag të samitit të të 28-ve, më 28-29 qershor./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.