Ruçi i kërkon Armenisë të rishikojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot Nënkryetarin e Parlamentit të Armenisë, Eduard Sharmazanov.

Duke vlersuar marrëdhëniet jo shumë aktive dypalëshe, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se midis dy vendeve nuk ekzistojnë rezerva që të pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha nivelet dhe fushat me interes të ndërsjellë. Prandaj ka vend për vendosjen e dialogut politik dhe institucionalizimin e kontakteve politike. Nënkryetari Sharmazanov e vlerësoi këtë takim si një takim historik për marrëdhëniet midis të dy vendeve dhe shprehu bindjen se ai do të hapë rrugën e forcimit e zgjerimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Kryetari Ruçi kërkoi që Armenia të rishikojë qëndrimin e saj për pavarësinë e Kosovës si edhe të mbështesë anëtarësimin e saj në organizatata ndërkombëtare. Nënkryetari Sharmazanov tha se e mirëkupton shqetësimin e Shqipërisë për qëndrimin e Armenisë për Kosovën, por nënvizoi se ky qëndrim imponohet nga rrethanat specifike të vendit. Ai theksoi se Armenia kërkon që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugën e dialogut drejt një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët.

Kryetari Ruçi dhe Nënkryetari Sharmazanov ranë dakord që parlamentet e të dy vendeve të vlerësojnë mundësinë e ngritjes së grupeve parlamentare të miqësisë Shqipëri-Armeni.

Gjatë takimit u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit dypalësh edhe në kuadrin e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Detit të Zi, PABSEC, sesioni i 51-të plenar i të cilës zhvillon punimet këto ditë në Tiranë.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi rolin e dialogut dy e shumëpalësh për zgjidhjen e çështjeve të mbartura historike, apo të reja midis vendeve e rajoneve të ndryshme. Shekulli ynë, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi, është shekulli i dialogut, negociatave dhe kompromiseve, si instrumentat më efikas për ndërtimin dhe garantimin e  paqes.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.