Meta merr mbështetjen e Hungarisë për hapjen e negociatave

TIRANË, 20 qershor /ATSH- I. Vata/ – Presidenti i Republikës Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, u prit sot nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, në sheshin “Szent György”, ku dhe ka marrë mbështetjen e Hungarisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Në takim, Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e tradicionale midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjet që Hungaria dhe hungarezët i kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve, në momente kyçe të historisë.

“Lidhjet u bënë edhe më të forta midis dy kombeve, kur 80 vjet më parë princesha Geraldinë Appony u bë Mbretëresha e shqiptarëve”, – nënvizoi Meta.

Po ashtu, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qartë dhe të qëndrueshme të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe i kërkoi mbështetjen e Hungarisë për arritjen e konsensusit brenda Këshillit të BE-së dhe mbështetjen e rekomandimit të Komisionit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Më tej dy presidentët u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat vendet e këtij rajoni po përballen.

Nga ana e tij, Presidenti hungarez, Áder e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e Hungarisë si në drejtim të integrimit europian, ashtu edhe për nxiten e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Pas takimit të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku fokusi kryesor ishte marrëdhëniet mes dy vendeve dhe integrimi i Shqipërisë në BE

Në fjalën e tij, Meta i shpreh mikpritësit tim, Presidentit Ader, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e të shqiptarëve, për mbështetjen që i kanë dhënë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe BE. Një vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit dypalësh dhe atij të integrimit në Bashkimin Europian”.

Presidenti Meta ka pohuar se “shpresojmë se në fund të këtij muaji të gjitha Vendet Anëtare të saj do të mbështesin çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

“Sigurisht që diskutuam edhe mbi zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe frymën e re të bashkëpunimit që po forcohet dita-ditës në këtë rajon”, – tha Presidenti Meta në konferencën e përbashkët me Presidentin e Hungarisë, Áder. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.