Foto/Të rinjtë e Kukësit vizitojnë bazën Bondsteel në Kosovë

TIRANË, 20 qershor/ATSH/-Një grup të rinjsh nga Qendra për Progres Rinor në Kukës udhëtuan në bazën Bondsteel ku u njohën nga afër me përpjekjet e Ushtrisë Amerikanë dhe NATO-s në rajon.

Ata, së bashku me një grup nxënësish nga një komunitet serb në Kosovë, u takuan në kamp për të nxitur marrëdhënie më të forta mes vendeve dhe për të mësuar më shumë për përpjekjet e Ushtrisë Amerikane dhe NATO-s në rajon.

Nëpërmjet prezantimeve interaktive mbi historinë e NATO-s, demonstrimeve të ushtrisë dhe lojërave argëtuese mes të rinjve dhe ushtarëve, nxënësit u angazhuan dhe u përfshinë në grupet e njëri-tjetrit, duke u njohur më shumë.

Ambasada Amerikane në Tiranë e quajti një aktivitet pozitiv, si një lloj programi për të vijuar edhe vitet e ardhshme.

“Përshtypjet ishin jashtëzakonisht pozitive nga ata që ishin të pranishëm dhe shumë thanë se shpresonin që programi të vazhdonte në vitet e ardhshme. Suksesi i ditës ishte si rezultat i organizimit të mirë nga Ambasada e SHBA-ve, përpjekjet e Ushtrisë Amerikane në Kamp dhe gazetarëve vendorë, si edhe gatishmërisë së grupeve rinore dhe udhëheqësve të tyre për të bashkëvepruar në mënyrë pozitive me njëri-tjetrin”, thuhet në faqen zyrtare të ambasadës.

z.tosku/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.