Qeveria investime në infrastrukturë për të nxitur turizmin

Buletin informativ radiofonik, mbi situatën e qarkullimit rrugor. Kabina elektrike mobile (të lëvizshme) dhe bote me ujë në gatishmëri për mbarëvajtjen e sezonit turistik  

TIRANË, 19 qershor /ATSH/-Investimet që po ndërmerr qeveria në zhvillimin e infrastrukturës mbështesin nxitjen e turizimit dhe mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik.

Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, tha sot nga Durrësi gjatë një takimi për sezonin turistik, se ministria e infrastrukturës e ka filluar punën me rehabilitimin e disa akseve rrugore. Punimet në segmentin Tiranë-Durrës po kryhen në kohë rekord me tre turne. Ndërkohë që në të gjitha akset e tjera rrugore,ku po kryhen punime kemi vendosur kalime të rrugëve alternative, duke garantuar qarkullimin në të gjitha drejtimet nëpër Shqipëri dhe veçanërisht në zonat turistike.

Gjithashtu, theksoi ai, po vendosim ndriçim gjatë akseve prioritare dhe kemi marrë të gjitha masat  nga Velipoja e deri në jug të vendit, për të rehabilituar rrugët që lidhin akset kryesore kombëtare me rrugët që të çojnë në zonat bregdetare.

“Buxheti po injekton financime për asfaltimin e rrugëve, me qëllim që në fillimin të muajit korrik të kemi aksesim normalisht në rrugët kryesore turistike të vendit, tha Shkreli.

Përpos masave në sektorin e infrastrukturës, Shkreli theksoi se, në mbështetje të sezonit turistik puna ka vijuar edhe në sektorin energjetik dhe atë të ujësjellës kanalizimeve.

“Kabinat elektrike mobile janë në gatishmëri për çdo rast avarie duke mundësuar furnizim me energji elektrike pandërprerje. Ndërsa botet me ujë do të jenë dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve për çdo difekt në rrjetet, që mund të sjellë ndërprerje të ujit”,tha ai.

Gjithashtu bëri të ditur numri dy i dikasterit të Infrastrukturës, këtë vit fillojmë në radio raportimin e buletinit informativ mbi situatën e qarkullimit në rrugë për të lehtësuar qarkullimin dhe orientuar fluksin e qarkullimit gjatë sezonit turistik. e.xh /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.