GJERMANI – Merkel pret Macron pas presionit për një zgjidhje europiane për migrantët

BERLIN, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel pritet të takohet sot me presidentin francez, Emmanuel Macron pas rritjes së presionit ndaj lideres gjermane për të arritur një zgjidhje në nivel BE-je ndaj migrimit ilegal deri në fund të muajit.

Merkel dhe Macron, aleati i saj më i rëndësishëm në Europë, do të takohen në Pallatin Meseberg në Berlin për t’u përgatitur për samitin e BE-së që zhvillohet më 28-29 qershor,  që është shndërruar në një afat përfundimtar për Merkelin, i përcaktuar nga ministri i saj i Punëve të Brendshme, Seehofer për të gjetur një zgjidhje në nivel BE-je.

Merkel ka mbetur e bllokuar në një debat me ministrin e Punëve të Brendshme, Horst Seehofer që ka kërcënuar se do të fillojë të largojë migrantët e jashtligjshëm në kufij, pavarësisht kundërvënies së saj të hapur.

Merkel kërkon të parandalojë një vendim të njëanshëm kufitar që do të rrisë problemet me vendet fqinje, duke argumentuar se një lëvizje e tillë do të dëmtojë solidaritetin e BE-së që është duke u përballur me një euroskepticizëm në rritje. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.