Veliaj dëgjesë me arkitektët dhe urbanistët për Teatrin Kombëtar

TIRANE, 18 qershor/ATSH/- Bashkia e Tiranës ka organizuar sot dëgjesën e dytë me arkitektët dhe urbanistët për të diskutuar mbi ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe rivitalizimin e zonës përreth tij.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi si tepër pozitive dëgjesën e parë me aktorët, ndërsa theksoi se ajo shërbeu për të shpjeguar konceptin mbi idenë e zhvillimit të kësaj hapësire në një godinë moderne dhe të denjë për një institucion kryesor të artit dhe kulturës në vend.

“Falederimi i parë për komunitetin e artistëve. Kemi ulur tonet dhe po kuptojmë që kjo tavolinë dhe ajo përpara përfaqëson ajkën e qytetit. T’i largohemi vulgaritetit. Kishte konsensus më shumë se ç’ mendoja. Ideja është të kemi një teatër të ri, detajet janë pjesë e negocimit. Falenderoj komunitetin e artistëve, e di kush ka background politik, nuk jam naiv por pjesa dërrmuese është larguar nga politika. Ndaj kanë të gjithë mirënjohjen time artistët dhe pres nga ata një përgjigje që të caktojnë dhe ata një apo dy përfaqësues për negociim. Kur mendojmë se vokacioni ynë i parë është ai i qytetarit bëjmë gjëra të mrekullueshme. Edhe ata do ta gjejnë të dobishme këtë dëgjesë sot”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se seria e dëgjesave do të vazhdojnë dhe me grupet e tjera të interesit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.