MAQEDONI – Fillon zbatimi i marrëveshjes me Greqinë për emrin

SHKUP, 18 qershor /ATSH-MIA/Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve 27-vjeçare për emrin, nisin sot hapat për zbatimin e saj.

Qeveria e Maqedonisë pritet sot në seancë të miratojë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, që do të dërgohet më pas në parlament, ku duhet të ratifikohet.

Pasi të dërgohet në parlament, ku deputetët duhet të votojnë dhe ta miratojnë me shumicë të thjeshtë, ajo do t’i dërgohet presidentit Ivanov, i cili ka afat shtatë ditë për ta firmosur.

Nëse Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet sërish në procedurë parlamentare, por atëherë duhet të votohet me shumicë absolute ku 61 deputetë duhet të votojnë pro.

Më pas marrëveshja i dërgohet sërisht presidentit, i cili, sipas Kushtetutës, është i detyruar ta firmosë.

Për marrëveshjen, fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum, që do të zhvillohet në shtator apo tetor.

Me marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin që e nënshkruan dje në Prespë ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, emri zyrtar i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut apo Maqedonia Veriore (emër i shkurtuar).

Maqedonia do të kërkojë pranim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Greqia do ta njoftojë kryetarin e Këshillit të BE-së se përkrah fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Ajo do të njoftojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s se jep përkrahje që NATO-ja t’i dërgojë ftesë Maqedonisë për anëtarësim.

Përkrahja e Greqisë është e kushtëzuar nga referendumi, nëse Maqedonia vendos të mbahet referendum.

Palët pajtohen që bashkëpunimi  i tyre strategjik të përfshijë të gjitha sektorët, siç janë bujqësia, siguria civile, mbrojtja, ekonomia, energjia, mjedisi jetësor, industria, infrastruktura, investimet, marrëdhëniet politike, turizmi, tregtia, bashkëpunimi ndërkufitar dhe transporti.

Me marrëveshjen është parashikuar që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.