Kursi i këmbimit, masat e BSH-së kompensuan presionet dez-inflacioniste

TIRANË, 18 qershor /ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë ditët e fundit në samitin e vendeve të rajonit me temë ”Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, 10 vjet pas krizës financiare globale”, që u zhvillua në Becic, Mal i Zi

Në këtë samit, pjesëmarrës ishin përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Serbisë si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga vendet e rajonit.

Guvernatori Sejko vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet bankave qendrore.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se regjimi i shenjëstrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, të cilët janë zgjedhur dhe zbatohen në Shqipëri, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të konvergjencës, duke mundësuar norma të larta rritjeje ekonomike, stabilitet ekonomik e financiar, dhe rritje e zgjerim të sektorit financiar.

Në vijim, Guvernatori prezantoi për pjesëmarrësit një nga çështjet më sfiduese me të cilën, Banka e Shqipërisë po përballet aktualisht, ecuria e kursit të këmbimit.

“Regjimi i kursit të lirë të këmbimit ka rritur fleksibilitetin tonë në përballimin e goditjeve dhe ka ndihmuar në reduktimin e kostove të tyre. Ky fleksibilitet u demonstrua së fundmi edhe nga episodi i ngjarjeve të krizës së fundit botërore, kur nënçmimi i kursit të këmbimit i mundësoi Shqipërisë të ri-balanconte bilancin e saj të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe mundësoi ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në interes të nxitjes së kërkesës agregate dhe minimizimit të kostove mbi bizneset dhe familjet shqiptare”, theksoi Sejko.

Në mbyllje, Guvernatori u shpreh se masat e marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë janë në koherencë të plotë me këtë filozofi. Rritja e stimulit monetar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit synon të kompensojë në afatin e mesëm presionet dez-inflacioniste që vijnë nga forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit. e.xh/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.