TIRANË, 18 qershor/ATSH/ – Në një letër të përbashkët drejtuar Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, krerët e bashkësive fetare në Shqipëri kërkuan mbështetjen për çeljen e negociatave të vendit tonë me BE.
Krerët e bashkësive fetare në Shqipëri: Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Skënder Brucaj, Kryepeshkopi i Tiranës dhe i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë i Kishës Ortodokse Autoqefale, Prof. Dr Anastasios, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Episkopale Shqiptare dhe Arqipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, Kryegjyshi Botëror i Kryegjyshatës së Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doci, bënë apel për një vendim pozitiv të tyre për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ata i dorëzuan letrën sot Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatit.
“Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Europës. Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Europës. Është një histori që ka rrënjë mijëravjeçare. Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Europian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore. Ne i jemi mirënjohës Zotit për faktin se historia e popullit shqiptar ka treguar një jetëgjatësi të qëndrueshme të vlerës së respektit për dallimin fetar, duke jetuar së bashku në harmoni si një familje.
“Rruga drejt Bashkimit Europian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre europianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, në këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto. Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Europës.
Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave europiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë”, thuhet në letrën e tyre.
Nga ana e tij, ministri Bushati falënderoi komunitetet për “angazhimin e tyre në momente kyçe dhe me rëndësi kritike për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe vlerësoi kontributin e këtyre komuniteteve në ruajtjen e harmonisë fetare dhe fuqizimin e kohezionit social në Shqipëri”.
“Ju keni dhënë shembullin më kuptimplotë që ne jemi europianë dhe tani është momenti i duhur për secilin prej nesh të ndjekim shembullin tuaj”, – u shpreh ministri Bushati. /z.t//e.caushi/
