GJENEVË – OKB: E papranueshme ndarja e fëmijëve nga prindërit në kufirin SHBA-Meksikë

GJENEVË, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein i bëri sot thirrje qeverisë amerikane për të mos ndarë fëmijët e migrantëve të paligjshëm në kufirin me Meksikën, një politikë e cilësuar e papranueshme dhe mizore.

« Është vërtetë e papranueshme  të mendosh që një shtet kërkon të ndajë prindërit nga fëmijët, me anë të abuzimeve të tilla», u shpreh Zeid Ra’ad Al Hussein, në nisje të një seance të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Administrata amerikane njoftoi të premten se politika e re e tolerancës zero në kufirin me Meksikën u shoqërua që nga mesi i muajit prill me ndarjen e rreth 2 000 fëmijëve nga prindërit e tyre, të arrestuar për hyrje të paligjshme në SHBA.

Këto raportime shkaktuan polemika të ashpra në SHBA dhe detyruan zonjën e parë amerikane, Melania Trump për të apeluar në favor të një marrëveshje të shpejtë në Kongres për miratimin e një reforme për imigracionin, e cila u shpreh se është e ulët të shohësh fëmijë të ndarë nga familjet e tyre.

« Jam thellësisht i shqetësuar nga politikat e miratuara së fundmi, të cilat ndëshkojnë fëmijët për veprimet e prindërve të tyre », pohoi Zeid, në fjalimin e mbajtur në Pallatin e Kombeve, selia e OKB-së në Gjenevë, duke i denoncuar si praktika mizore.

« I bëj thirrje SHBA-së për të ndalur menjëherë ndarjen e detyruar të këtij kontigjenti fëmijësh, dhe inkurajoj qeverinë për të ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. SHBA-ja është i vetmi shtet që nuk ka ratifikuar këtë tekst që mbron të drejtat themelore të fëmijëve”, theksoi ai./ /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.