Bind Belgjika, mposht 3-0 modestët e Panamasë

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ – Ashtu siç pritej Belgjika ka mposhtur me rezultatin 3-0 ekipin e Panamasë, ndeshje e cila pjesën e parë e mbylli me rrjeta të paprekura.

Belgjika ka vuajtur vetëm 45 minuta për të thyer Panamanë debutuese në Botëror, dhe për këtë mendoi Dries Mertens, i cili realizoi në mitën e 47 një gol mjaftë të bukur, duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Panamasë për të reaguar.

Pas shënimit të golit të parë gjërat sa vinin dhe bëheshin më të lehta për ekipin belg, duke qarkulluar topin më lirshëm si dhe duke shfaqur më shumë rrezikshmëri para portës së ekipit kundërshtar, i cili u shtang nga pësimi i golit.

Ndeshja u bë e lexueshme dhe ishte thjesht çështje kohe që ekipi kombëtar i Belgjikës të shënonte golin e radhës, i cili erdhi në minutën e 69-të, me autor sulmuesin Romero Lukaku.

Belgjika nuk u mjaftua me këtë rezultat duke shënuar sërish në minutën e 75-të, gol i cili mban sërish firmën e sulmuesit Romero Lukaku, duke shkuar në kuotën e 2 golave personal.

Pavarësisht fitores, për Belgjikët do të jetë një luftë e vërtetë për të marrë vendin e parë në këtë grup, duke qenë se ka si kundërshtar Anglinë, e cila do të luajë në mbrëmje ndeshjen e parë ndaj Tunizisë./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.