11 qendra shëndetësore rindërtohen këtë vit në qarkun e Fierit

TIRANE, 18 qershor /ATSH/ -Nga Fratari i Mallakastrës, ku u ndal në turin e llogaridhënies publike, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se këtë vit rindërtohen 11 qendra shëndetësore në qarkun e Fierit, për t’i kthyer faqen shërbimit shëndetësor parësor.

“Vij në Fratar me dy lajme të mira sa i takon kujdesit shëndetësor bazë. Sapo kemi përmbushur kërkesën e parë dhe të vazhdueshme që banorët e Fratarit kërkonin prej kohësh: shërbim shëndetësor 24 orë në qendrën shëndetësore. Pas këtij vendimi vjen edhe rikonstruksioni i plotë dhe pajisja e kësaj qendre shëndetësore, një investim shumë i nevojshëm për këtë zonë”, tha Manastirliu.

Qendra shëndetësore e Fratarit u shërben 4800 banorëve, ndërsa shërbimi i urgjencës që tashmë është garantuar 24 orë i shërben rreth 9 mijë banorëve të Fratarit dhe zonave përreth.

Rikonstruksioni i plotë dhe pajisja e qendrës shëndetësore pritet të përfundojë brenda muajit dhjetor të këtij viti dhe është një investim me vlerë 6.7 milion lekë.

“Qeveria shqiptare po investon si asnjëherë më parë në infrastruktuën e kujdesit shëndetësor parësor me rehabilitimin këtë vit të 80 qendrave shëndetësore. Vetëm në qarkun e Fierit, investojmë në 11 qendra shëndetësore gjatë vitit 2018”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Programi i Qeverisë parashikon rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore dhe pikave të ambulancave në 4 vite. /e.malaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.